9.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 393, datë 3.6.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se, referuar vendimit të ndërmjetëm të seancës paraardhëse, palët ishin njohur me aktet e vendimit të KPK-së për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, që lidhen me kriterin e pasurisë dhe në vijim u kërkoi atyre të shprehen mbi analizën financiare të kryer nga Kolegji.

Komisioneri Publik rezervoi të drejtën për t’u shprehur mbi analizën financiare gjatë bisedimeve përfundimtare, ndërsa saktësoi një pretendim të subjektit të rivlerësimit lidhur me një shkak ankimi.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi analizën paraprake financiare, duke kërkuar nga trupi gjykues shpalljen e saj të pavlefshme dhe, për rrjedhojë, ribërjen e saj.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, me shumicë votash, vendosi rrëzimin  e kërkesave të subjektit të rivlerësimit lidhur me analizën financiare.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit paraqiti, në mënyrë më të detajuar, prapësimet e tij mbi analizën financiare, duke iu qëndruar parashtrimeve në seancat e mëparshme gjyqësore.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi qëndrimet e palëve mbi analizën financiare, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 22.6.2022, ora 14:30, për paraqitjen  e bisedimeve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF