20.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 392, datë 28.5.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Natasha Prifti (Shallapi), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues njoftoi se palët kishin depozituar në Kolegj parashtrimet dhe i ftoi ato t’i paraqesin edhe në seancë gjyqësore.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, si dhe në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi çështjet për shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhe në përmbyllje të parashtrimeve kërkoi nga trupi gjykues që, pas vlerësimit tërësor të procedurave, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 392, datë 28.5.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi).

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë.

Pas pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e trupit gjykues, kryesuesja e seancës e deklaroi të mbyllur hetimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Komisioneri Publik kërkoi kohë për të përgatitur bisedimet përfundimtare të çështjes dhe trupi gjykues, i konsultuar ne vend, vendosi që të shtyjë seancën më datë 27.6.2022, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF