20.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, gjatë bisedimeve përfundimtare, vërejti se, pas ballafaqimit të shkaqeve të ankimit, të konfirmuara në parashtrimet e seancave paraardhëse më 28.4.2022 dhe 19.5.2022, përkundrejt prapësimeve dhe akteve të sjella nga subjekti i rivlerësimit, nuk u arrit të provohet e kundërta e shkaqeve të ankimit, që lidhen me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe kriterin e kontrollit të figurës. Komisioneri Publik vlerësoi se subjekti i rivlerësimit arriti të provojë vetëm se nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik, bazuar edhe në Rekomandimin e ONM-së, u shpreh se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm, e për rrjedhojë, kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin e saj nga detyra.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e saj, duke iu qëndruar parashtrimeve në seancat paraardhëse, prapësoi konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, duke i kërkuar trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e saj në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë në seancën e datës 22.6.2022, ora 14:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF