22.6.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, magjistrate/gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Në bisedimet përfundimtare, Komisioneri Publik, referuar akteve dhe provave të administruara gjatë gjykimit, si rrjedhojë e kërkesës së ankimit për hetim të mëtejshëm të çështjes, duke analizuar shkaqet e ankimit, një pjesë e të cilave mbetën në të njëjtin nivel provueshmërie, parashtroi kërkimin e tij për ndryshimin e vendimit nr. 342, datë 2.2.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra, pasi ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.

Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, të cilat rezultuan se mbetën pjesë e kërkimeve të bisedimeve përfundimtare të Komisionerit Publik, u shpreh se kishte bërë deklarim të saktë dhe në kohë të pasurisë, dhe se kishte arritur nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në përmbyllje të parashtrimeve të saj, ajo i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 6.7.2022, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF