23.9.2022
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 269, datë 1.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Valdete Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës informoi se pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ishin depozituar edhe dy denoncime nga publiku, për të cilat ishin vënë në dijeni edhe palët, dhe i ftoi ato të parashtronin qëndrimet mbi të gjitha denoncimet që ishin depozituar në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Komisioneri Publik parashtroi se, nga shqyrtimi i përmbajtjes së denoncimeve, nuk u konstatuan informacione, fakte dhe rrethana të tilla ligjore, në kuptim të nenit 53, të ligjit 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Edhe subjekti i rivlerësimit, gjatë parashtrimit të qëndrimit të saj, kundërshtoi pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku.
Trupi gjykues, pas administrimit të provave të depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, me shumicë votash, vendosi të mos hetojë mbi denoncimet nga publiku dhe ftoi palët në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik vlerësoi se, për rastin konkret objekt gjykimi, nga hetimi gjyqësor i çështjes, në vlerësim të provave të administruara, bazuar në parimin e objektivitetit dhe të proporcionalitetit, nuk mund të kërkohet cenimi i vendimit dhe, për sa më lart arsyetoi, i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 269, datë 1.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit, duke iu qëndruar prapësimeve të shkaqeve të ankimit dhe denoncimeve nga publiku, kërkoi nga trupi gjykues rikonfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, i cili do të shpallet më datë 30.9.2022, ora 13:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.