5.12.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Elona Toro, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit, duke konfirmuar njëkohësisht se Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kishin depozituar më parë në Kolegj pretendimet e tyre mbi çështjen në shqyrtim.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, kërkoi nga trupi gjykues kryerjen e një hetimi të plotë, me qëllim vlerësimin e mundësisë financiare për subjektin e rivlerësimit dhe rrethin e personave të lidhur me të, dhe, në varësi të rezultateve, kryerjen e analizës financiare për subjektin e rivlerësimit, për periudhën e deklarimit 2003-2016.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të saj, kërkoi nga trupi gjykues administrimin e dokumentacionit, që sipas saj provon të kundërtën e shkaqeve të ankimit.

Në vijim, Kryesuesi i seancës kërkoi qëndrimin e palëve mbi denoncimet nga publiku, të depozituara në Kolegj pas ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, u shpreh se përmbajtja e denoncimeve nuk shton shkaqe të tjera nga ato të përcaktuara në ankim. Ndërsa subjekti i rivlerësimit kërkoi që këto denoncime të mos merren në konsideratë nga trupi gjykues, pasi, sipas saj, janë anonim dhe të pabazuara në prova dhe fakte.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, me vendim të ndërmjetëm, vendosi çeljen e hetimit dhe administrimin në cilësinë e provës të akteve të paraqitura në seancë nga subjekti i rivlerësimit.

Lidhur me denoncimet, trupi gjykues, pasi mori në konsideratë qëndrimin e Komisionerit Publik dhe të subjektit të rivlerësimit vlerësoi, se ato nuk përmbushin kriteret e parashikuara në nenin 53 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe si rrjedhojë nuk do t’i nënshtrohen hetimit të mëtejshëm të çështjes.

Ndërsa në lidhje me kërkesën e Komisionerit Publik, trupi gjykues vendosi kryerjen e një analize paraprake, që do t’u vihet në dispozicion palëve brenda datës 15 dhjetor 2022 dhe, në funksion të kohës për të debatuar mbi këtë dokument, trupi gjykues vendosi që seanca e ardhshme të zhvillohet më datë 21.12.2022, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF