21.12.2022

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Elona Toro, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e qëndrimeve të tyre mbi projekt analizën financiare, të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Komisioneri Publik, fillimisht, kërkoi nga trupi gjykues që disa zëra të pasqyruar në projekt- analizën financiare të mos referohen si kërkime të Komisionerit Publik, pasi ato nuk përfaqësojnë qëndrimin e institucionit në ankim dhe parashtrimet e paraqitura në Kolegj, ku është kërkuar kryerja e një analize të plotë financiare bazuar në aktet e fashikullit dhe metodologjinë e ndjekur në Kolegj. Në vijim, Komisioneri Publik, në vlerësim të projekt-analizës financiare, prapësimeve të subjektit te rivlerësimit, si dhe nga analizimi i akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit gjatë shqyrtimit gjyqësor, konstatoi se,  për disa nga shkaqet e ankimit, subjekti i rivlerësimit mbetet në kushtet e pamjaftueshmërisë lidhur me vlerësimin e kriterit të pasurisë.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të saj, pretendoi të kundërtën e gjetjeve të Komisionerit Publik mbi analizën financiare, për disa nga zërat e pasqyruar.

Referuar projekt-analizës financiare, Komisioneri Publik iu përgjigj një pyetjeje të relatores së çështjes lidhur me zërat e analizës, ndërsa subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për të konsultuar përgjigjet e saj.

Palët në proces shprehën qëndrimet e tyre edhe mbi pretendimet e ngritura në dy denoncime të depozituara rishtazi në Kolegj.

Trupi gjykues, pas konsultimit të qëndrimeve të palëve mbi këto denoncime, vendosi të mos fillojë hetim, për shkak se këto denoncime nuk plotësojnë kërkesat e përcaktuara në nenin 53, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në vijim, trupi gjykues u shpreh se gjykimi mbi analizën financiare do të vazhdojë në seancën e ardhshme, që do të mbahet më datë 10.1.2023, ora 10:00 me qëllim për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit t’u përgjigjet pyetjeve të drejtuara, duke kërkuar njëkohësisht nga palët që të jenë të përgatitura edhe për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF