19.1.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Elona Toro, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesi i seancës ftoi subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e përgjigjeve për pyetjet e drejtuara nga relatorja e çështjes mbi analizën financiare.

Subjekti i rivlerësimit, në mbështetje të pretendimeve të saj mbi disa zëra të analizës financiare të kryer nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, depozitoi disa akte shtesë, për të cilat kërkoi të administrohen në cilësinë e provës.

Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesi i seancës, nuk pati objeksione lidhur me kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të administruar akte shtesë, por veçoi se, vlerësuar nga përmbajtja, një prej akteve shkresore nuk ishte i plotë.

Në të njëjtin konstatim mbi aktin shkresor konkludoi edhe trupi gjykues, i cili, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të mos e administrojë këtë akt, ndërsa i konfirmoi subjektit të rivlerësimit se dokumentet e tjera shkresore u morën në cilësinë e provës.

Në vijim, pasi palët nuk shprehën kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Komisioneri Publik kërkoi kohë të arsyeshme për përgatitjen e tyre, duke marrë në konsideratë edhe prapësimet e subjektit të rivlerësimit gjatë seancës së sotme.

Në këto kushte, trupi gjykues vendosi që seanca për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të zhvillohet më datë 25.1.2023, ora 12:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF