24.1.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e shkaqeve të ankimit dhe prapësimeve, ndërsa palët konfirmuan se, përmes korrespondencës me Kolegjin, ishin njohur paraprakisht mbi pretendimet e tyre.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të konstatojë se subjekti i rivlerësimit, në vlerësimin e kriterit të pasurisë, është në kushtet e pamjaftueshmërisë, të cilat lidhen kryesisht me verifikimin e burimeve dhe të ardhurave të ligjshme të personit të lidhur. Komisioneri Publik konkludoi se subjekti i rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo) nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, dhe, për rrjedhojë, i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e saj nga detyra.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, pretendoi për të kundërtën e gjetjeve në ankim, duke i kërkuar trupit gjykues administrimin e provave të reja në funksion të riçeljes së hetimit dhe rikonfirmimin në detyrë.

Në vijim, trupi gjykues, pasi mori dakordësinë e Komisionerit Publik mbi aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, vendosi t’i administrojë ato në cilësinë e provës dhe, pasi palët nuk paraqitën kërkesa të tjera procedurale, njoftoi se seanca për parashtrimin e bisedimeve përfundimtare do të mbahet më datë 3.2.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF