3.2.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtrimeve të tij dhe në analizë të prapësimeve dhe provave të reja të administruara në Kolegj, në funksion të hetimit të çështjes, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur ndodhen në kushtet e pamjaftueshmërisë financiare për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e tyre. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 275, datë 20.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj Enkeleda Osmani (Xhengo).

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, pretendoi për të kundërtën e konkluzioneve përfundimtare, duke i kërkuar trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 16.2.2022, ora 16:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF