7.2.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë

Pas verifikimit të pranisë së palëve, subjekti i rivlerësimit lexoi kërkesën e paraqitur më parë në  Kolegj, për t’u përfaqësuar me dy avokatë mbrojtës, njëra prej të cilëve, e regjistruar si avokate vetëm në autoritetin përkatës në SHBA.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, u shpreh se kërkesa e mësipërme nuk plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 23, të ligjit nr. 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit pretendoi edhe për një kërkesë tjetër paraprake mbi ligjin e zbatueshëm në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kundërshtuar pjesërisht analizën financiare, të referuar në ankim.

Kryesuesja e seancës kërkoi mendimin e Komisionerit Publik mbi pretendimin e mësipërm, i cili u shpreh se procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve bazohet në aneksin e Kushtetutës, ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe legjislacionin që referohet nga organet ndihmuese të këtij procesi.

Edhe trupi gjykues mbajti të njëjtin qëndrim mbi pretendimin e subjektit të rivlerësimit, duke i ftuar palët në parashtrimet e shkaqeve të ankimit dhe të prapësimeve të tyre.

Komisioneri Publik, bazuar në Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,  parashtroi si çështje për gjykim, rrethana dhe fakte ligjore, për të cilat u shpreh se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës mbi: saktësinë dhe mjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme për krijimin e një pasurie dhe të depozitave bankare e kursimeve në SHBA, si dhe për përfshirjen në analizën financiare të periudhës kohore përpara vitit 2005. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke kundërshtuar specifikisht përfshirjen në analizën financiare të periudhës kohore para vitit 2003. Në përmbyllje të prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi depozitimin, në cilësinë e provës, të disa akteve shtesë dhe rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës disa nga aktet e depozituara, duke u shprehur se dokumentet e tjera, të referuara nga subjekti i rivlerësimit, do t’i konsultojë online, në të njëjtën mënyrë që ishin siguruar edhe nga subjekti i rivlerësimit.

Në vijim, pasi palët nuk paraqitën kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues mbylli hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik, referuar provave të administruara, u shpreh se nuk ndryshonte kërkimi i tij përfundimtar nga ai i parashtruar më parë. Ndërsa subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve.

Në këto kushte, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 14.2.2023, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF