28.2.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 606/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, çmon se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij. Ankimi i Komisionerit Publik, në rastin konkret, evidenton dhe parashtron si çështje për gjykim, rrethana e fakte ligjore, për të cilat vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit administrativ, lidhur me kontrollin e kriterit të pasurisë, të figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale, duke bërë kështu pjesë të shkaqeve të ankimit, për sa parashtrohet edhe në aktin Rekomandim, si dhe në gjetjet e paraqitura nga ONM-ja.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të hetimit të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF