11.5.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, aktualisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se në Kolegj janë depozituar ankimi i Komisionerit Publik dhe ankimi i subjektit të rivlerësimit. Në lidhje me këtë të fundit, relatori i çështjes kërkoi nga subjekti i rivlerësimit të vinte në dispozicion të Kolegjit dëftesën postare, për të konfirmuar datën e depozitimit të ankimit të saj në KPK.
Seanca vijoi më pas me parashtrimet e palëve në proces, të depozituara më parë në Kolegj.
Komisioneri Publik, në parashtrim të shkaqeve të ankimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit kryerjen e një analize financiare për disa nga zërat, që referohen në shkaqet e ankimit mbi kriterin e vlerësimit të pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi gjithashtu nga Kolegji që, gjatë shqyrtimit të çështjes në tërësi, të kryejë një hetim të plotë mbi denoncimin e referuar në shkaqet e ankimit mbi kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi për të kundërtën e gjetjeve në ankimin e Komisionerit Publik, duke justifikuar specifikisht vendimmarrjen e saj në çështjen e referuar në denoncimin, pjesë e ankimit të Komisionerit Publik.
Relatori i çështjes iu rikthye këtij shkaku ankimi, duke kërkuar informacion mbi mënyrën e aksesimit të denoncimit nga Komisioneri Publik. Ky i fundit deklaroi se denoncimi është siguruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe se mund të aksesohet nëpërmjet open sources. Mbi kërkesën e trupit gjykues, Komisioneri Publik vuri në dispozicion sa më lart.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi kryerjen e analizës financiare sipas kërkimit të Komisionerit Publik. Ndërsa në lidhje me denoncimin e referuar nga ONM-ja, trupi gjykues do të shprehet në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet më datë 5.6.2023, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.