16.5.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Bledar Bejko, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.
Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se në Kolegj janë depozituar parashtrimet e palëve dhe vijoi procesin me paraqitjen e pretendimeve të tyre në seancë gjyqësore.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi se mangësitë e konstatuara në tria kriteret e vlerësimit dhe sjellja e pakujdesshme e subjektit të rivlerësimit në marrëdhënie me të tretë, të çojnë në përfundimin se ai nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Bledar Bejko.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të tij, kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke pretenduar se nuk janë të bazuara në fakte. Ai kundërshtoi edhe pretendimet e ngritura në denoncimet nga publiku, që lidheshin kryesisht me kriteret e vlerësimit të kontrollit të figurës dhe të aftësive profesionale.
Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesueses së seancës, parashtroi qëndrimin mbi denoncimet nga publiku, duke e çmuar të panevojshëm verifikimin e tyre, pasi i konsideroi të mjaftueshme shkaqet e ankimit.
Në vijim, relatorja e çështjes adresoi disa pyetje për subjektin e rivlerësimit, mbi denoncimet nga publiku, i cili kërkoi kohë për përgatitjen e qëndrimit të tij.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës disa nga aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit për përgatitjen e qëndrimit të tij mbi denoncimet, vendosi të shtyjë seancën më datë 17.5.2023, ora 11:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.