5.6.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  znj. Irena Brahimi, aktualisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se Kolegji kishte kryer analizën financiare mbi kërkimet e Komisionerit Publik dhe pretendimet e subjektit të rivlerësimit, dhe pas konfirmimit të palëve se ishin njohur me këtë akt, i ftoi të paraqisnin qëndrimet në seancë.

Komisioneri Publik parashtroi se, nga analiza financiare paraprake, e kryer nga Njësia e Shërbimit Ligjor pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, sipas shkaqeve të ankimit, rezulton se për vitet 2005-2008 dhe 2014-2016,  subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të kanë mungesë të burimeve të ligjshme për mbulimin e investimeve, shpenzimeve dhe kursimeve.

Subjekti i rivlerësimit pretendoi se qëndrimi i Komisionerit Publik mbi analizën financiare tejkalon shkaqet e ankimit dhe kërkoi kohë nga trupi gjykues për të përgatitur prapësimet e saj. Ndërsa për një pjesë të analizës financiare kërkoi të depozitonte akte shtesë.

Seanca vijoi me qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi denoncimin e referuar në shkaqet e ankimit, për kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale. Ajo i kërkoi trupit gjykues të mos hetojë mbi këtë denoncim, duke pretenduar se nuk përmbush kriteret e nenit 53, të ligjit nr.  84/2016.

Në vijim, trupi gjykues kërkoi nga Komisioneri Publik dërgimin me postë elektronike të linkut të denoncimit, të dërguar nga ONM-ja, dhe më pas kërkoi asistencën e specialistëve të IT-së në Kolegj për të aksesuar materialin. Në kushtet, kur trupi gjykues u shpreh se linku nuk aksesohej, pasi rezultonte i fshirë, Komisioneri Publik vuri në dispozicion kopje të përmbajtjes së denoncimit, duke i qëndruar kërkimit të tij drejtuar Kolegjit, që në funksion të hetimit të këtij denoncimi të administrojë dosjen penale, që është në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për t’i kërkuar Gjykatës së Lartë kopje të fashikullit të çështjes penale, që lidhet me denoncimin në ankim dhe, në pritje të këtyre akteve, vendosi shtyrjen e seancës më datë 6.7.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF