12.6.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 629, datë 3.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  z. Besnik Cengu, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit në parashtrimin e pretendimeve të tyre mbi ankimin.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, në konsideratë edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, vlerësoi se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore në fuqi.

Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues të ndryshojë vendimin nr. 629, datë 3.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe të vendosë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, dhe në zbatim të pikës 2, të nenit G të aneksit të Kushtetutës, të vendosë ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, i kundërshtoi si të pabazuara në ligj, shkaqet e ankimit, duke kërkuar që në funksion të prapësimeve të tij të depozitonte disa raporte mjekësore, që lidheshin kryesisht me gjendjen e tij shëndetësore.

Trupi gjykues vendosi t’i administrojë ato në cilësinë e provës dhe, në kushtet kur palët nuk referuan kërkesa të tjera procedurale, vijoi seancën me paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik u shpreh se provat e reja nuk ndikonin në shkaqet e ankimit dhe se iu qëndronte parashtrimeve të paraqitura në seancën e sotme.

Edhe subjekti i rivlerësimit iu qëndroi prapësimeve të tij, duke kërkuar nga trupi gjykues rrëzimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.

Trupi gjykues, pasi u njoh më kërkimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë nesër, më datë 13.6.2023, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF