13.6.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 629, datë 3.3.2023, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 629, datë 3.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në këtë mënyrë:
i. Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, Besnik Cengu, me funksion prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
ii. Në zbatim të pikës 2, të nenit G, të aneksit të Kushtetutës, ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cengu, për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.6.2023.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF