4.7.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 621, datë 13.2.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erarbër Madhi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, ushtruese e këtij ankimi, do të përfaqësohej në këtë seancë nga Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, për shkak se ajo e kishte të pamundur pjesëmarrjen e saj.

Seanca vijoi më pas me parashtrimet e palëve.

Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa, deklaroi se Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, iu qëndron shkaqeve të ankimit, që lidhen kryesisht me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe kërkon nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 621, datë 13.2.2023, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erarbër Madhi.

Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke i kërkuar trupit gjykues të administrojë në cilësinë e provës akte të reja dhe t’i japë kohë për të siguruar një dokument që provon të ardhurat e personit të lidhur me të, të siguruara nga bashkëpunimi me NATO-n.

Më pas, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të adresuara nga vëzhguesi ndërkombëtar dhe nga një prej anëtarëve të trupit gjykues.

Pasi konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe, për t’i dhënë kohë për të siguruar aktet e tjera, sipas kërkesës së tij, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 19.7.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF