19.7.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 621, datë 13.2.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erarbër Madhi, me detyrë gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, ushtruese e këtij ankimi, do të përfaqësohej edhe në këtë seancë nga Komisioneri Publik, z. Florian Ballhysa.

Në vijim, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit njohu trupin gjykues me përgjigjen e siguruar nga Sekretariati Ndërkombëtar i NATO-s, përmes së cilës referohej pamundësia e sigurimit të të dhënave financiare për personin e lidhur me subjektin e rivlerësimit.

Trupi gjykues, pas konsultimit në vend, vendosi të administrojë përgjigjen e sipërcituar si provë dhe, në kushtet kur palët nuk referuan kërkesa të tjera procedurale, vendosi mbylljen e  shqyrtimit gjyqësor.

Seanca për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare u vendos më datë 25.7.2023, ora 13:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF