25.7.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli, me detyrë prokuror në Prokurorinë  e Përgjithshme.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, subjekti i rivlerësimit paraqiti një kërkesë paraprake, përmes së cilës kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Komisionerit Publik Darjel Sina, për rrëzimin e kërkesës të paraqitur prej tij, në shkurt të vitit 2021, për përjashtimin e Komisionerit Publik Florian Ballhysa nga shqyrtimi i vendimit të Komisionit, me pretendimin se ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit. Si rrjedhojë e kërkimit për pavlefshmërinë absolute të këtij vendimi, subjekti i rivlerësimit paraqiti kërkesë dhe për shpalljen e pavlefshmërisë absolute të ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, duke kërkuar si përfundim, në mënyrë alternative, mospranimin e ankimit ose pushimin e gjykimit të çështjes.

Komisioneri Publik parashtroi qëndrimin përkatës lidhur me pretendimet e subjektit të rivlerësimit dhe njohu trupin gjykues me procedurën e ndjekur nga Institucioni i Komisionerëve Publikë në shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e Komisionerit Publik, si dhe informimin në lidhje me këto procedura të ndjekura të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe subjektit të rivlerësimit, në muajin shkurt të vitit 2021.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi të rrëzojë të gjitha kërkesat e subjektit të rivlerësimit, duke i cilësuar të pabazuara në fakte dhe në ligj, dhe ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, vlerësoi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, duke kërkuar nga Kolegji që të ndryshojë vendimin nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga deyra subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli.

Pasi iu kërkua nga ana e Kolegjit të parashtronte prapësimet e tij lidhur me ankimin, në një kërkesë të rishtë, subjekti i rivlerësimit pretendoi që, para se të parashtronte prapësimet e tij, duhej të njihej me analizën financiare të kryer nga Komisioneri Publik, ku bazoheshin shkaqet e ankimit.

Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesueses së seancës, sqaroi se shkaqet në ankim janë bazuar në analizën financiare të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, porse intepretimi ligjor i ndryshëm i elementeve të kësaj analize financiare, me të cilën subjekti i rivlerësimit është njohur dhe i është kaluar barra e provës, duhet të sillte Kolegjin në përfundimin se vendimi i Komisionit duhet ndryshuar dhe subjekti i rivlerësimit të shkarkohej nga detyra.

Komisioneri Publik nënvizoi se kjo kërkesë nuk ishte pjesë e parashtrimeve me shkrim, të cilat ishin depozituar prej tij 5 ditë përpara zhvillimit të seancës gjyqësore nga ana e subjektit të rivlerësimit, parashtresë në të cilën subjekti i rivlerësimit analizonte çdo shkak të ankimit.

Pas këtij qëndrimi të Komisionerit Publik, subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për të strukturuar prapësimet e tij dhe, në këto kushte, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 18.9.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF