18.9.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës kërkoi nga subjekti i rivlerësimit të parashtronte prapësimet e shkaqeve të ankimit, të cilat nuk i paraqiti gjatë seancës paraardhëse, pasi i kërkoi trupit gjykues kohë për të strukturuar përmbajtjen  e tyre.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të shkaqeve të ankimit, depozitoi disa akte të reja në funksion të shqyrtimit gjyqësor dhe, në përmbyllje të pretendimeve të tij, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë.

Komisioneri Publik, me kërkesë të kryesueses së seancës, dha qëndrimin e tij mbi aktet e përcjella në seancë, duke u shprehur se nuk kishte pretendime mbi administrimin e tyre.

Trupi gjykues, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, vendosi riçeljen e hetimit dhe administrimin e provave të reja, të depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit.

Pasi palët nuk referuan kërkesa të tjera paraprake, trupi gjykues, i konsultuar në vend, mbylli hetimin gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, më datë 26.9.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF