26.9.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Kujtim Luli, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi palët në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi vlerësoi të gjitha shpjegimet, prapësimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit dhe të administruara nga Kolegji, parashtroi se, bazuar në një vlerësim të përgjithshëm të të tria kritereve, janë konstatuar një sërë mangësish në kriterin e pasurisë. Duke konkluduar se zbatimi i nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, në rastin konkret, nuk është i bazuar, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kujtim Luli.

Subjekti i rivlerësimit, nga ana e tij, kërkoi nga trupi gjykues t’i jepte kohë për të riformuluar konkluzionet, me pretendimin se bisedimet përfundimtare të Komisionerit Publik ishin përtej parashikimeve të atyre çfarë ai tha se kishte parashikuar të kundërshtonte.

Trupi gjykues, pas konsultimit në dhomë këshillimi, vendosi t’i japë 30 minuta kohë subjektit të rivlerësimit për pretendimet e tij.

Subjekti i rivlerësimit, duke iu qëndruar prapësimeve të shkaqeve të ankimit, të referuara në seancën e mëparshme, kundërshtoi përfundimet e arritura nga Komisioneri Publik gjatë bisedimeve përfundimtare dhe i kërkoi trupit gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Në vijim, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 6.10.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF