28.9.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arbër Çela, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe në referencë të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi si çështje për gjykim rrethana dhe fakte ligjore, për të cilat çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me rezultatet e hetimit mbi kontrollin e kriterit të pasurisë dhe të aftësive profesionale.

Duke theksuar se, në gjendjen që janë faktet dhe provat e administruara gjatë hetimit administrativ, dhe në zbatim të jurisprudencës së Kolegjit, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arbër Çela.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit bëri prapësimet e shkaqeve të ankimit që lidheshin kryesisht me kriterin e pasurisë. Ndërkohë, subjekti i rivlerësimit referoi për administrim prova të reja, që sipas tij kundërshtonin pretendimet në ankim mbi pasurinë e tij dhe paraqiti edhe objeksionet mbi shkaqet e ankimit, që lidheshin me kriterin e aftësive profesionale.

Trupi gjykues, duke konsideruar volumin e akteve të përcjella për administrim, nga ana  e subjektit të rivlerësimit, njoftoi shtyrjen e seancës më datë 4.10.2023, ora 13:00, për të vendosur mbi administrimin e provave dhe vijimin e mëtejshëm të këtij shqyrtimi gjyqësor.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF