23.11.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Pëllumb Zaimi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Berat.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi se, ndryshe nga sa disponon trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për kriteret e rivlerësimit, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Në përmbyllje të parashtrimeve, bazuar në nenin 61, pika 5, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Pëllumb Zaimi.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi gjetjet në ankim dhe kërkoi administrimin e disa provave të reja. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, ai kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.
Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës lidhur me denoncimet, u shpreh se i konsideronte të mjaftueshme shkaqet e parashtruara në ankim për të bazuar kërkimin përfundimtar, për ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit. Në këto rrethana, ia la në çmim trupit gjykues për t’u shprehur lidhur me nevojën për hetim të denoncimeve të depozituara, pas paraqitjes së ankimit.
Pas konsultimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës një pjesë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Për aktet që mund të siguroheshin përmes faqeve zyrtare të institucioneve gjyqësore, trupi gjykues u shpreh se nuk ishte i nevojshëm administrimi.
Gjithashtu, trupi gjykues kërkoi që aktet e përcjella nga subjekti i rivlerësimit, vetëm në formën e fotokopjeve të thjeshta, duhet të dorëzoheshin në formën e duhur ligjore gjatë seancës së radhës, që do të mbahet më datë 7.12.2023, ora 10:30, seancë për të cilën trupi gjykues ftoi palët të përgatisnin dhe bisedimet e tyre përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF