7.12.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Pëllumb Zaimi, me funksion gjyqtar në Gjykatën e  Rrethit Gjyqësor, Berat.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, edhe pas shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, vlerësoi se aktet e depozituara nga subjekti dhe të administruara në cilësinë e provës nga Kolegji, nuk ndikojnë në ndryshimin e kërkimit përfundimtar. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 574, datë 18.10.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Pëllumb Zaimi.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë bisedimeve përfundimtare, kundërshtoi parashtrimet e Komisionerit Publik dhe i kërkoi trupit gjykues rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.12.2023, ora 9:15.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF