7.12.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 634, datë 10.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Naim Tota, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesi i seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të tyre, si dhe pasi vlerësoi edhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 634, datë 10.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Naim Tota.

Përfaqësuesi ligjor dhe, më pas, edhe vetë subjekti i rivlerësimit kundërshtuan konkluzionet e arritura nga Komisioneri Publik dhe i kërkuan trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 13.12.2023, ora 14:30.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF