10.1.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ylli Bashaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se, më datë 8.1.2024, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kishte depozituar në Kolegj Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe, në vijim, u kërkoi palëve në proces qëndrimin e tyre mbi këtë akt.

Komisioneri Publik rezervoi të drejtën për t’u shprehur gjatë bisedimeve përfundimtare, ndërsa subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për të përgatitur qëndrimin e tij.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 15.1.2024, ora 9:00, për t’i lënë kohë subjektit të rivlerësimit të përgatisë qëndrimin e tij mbi Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF