15.1.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ylli Bashaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës iu kërkoi palëve të paraqisnin parashtrimet e tyre mbi ankimin, si dhe Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë, të depozituar rishtazi në Kolegj.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në konsideratë edhe të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi se është i nevojshëm rivlerësimi nga ana e Kolegjit i zërave të analizës financiare, lidhur me vlerën reale të blerjes së pasurisë dhe burimeve të ligjshme të deklaruara nga subjekti si burim krijimi për këtë pasuri, kryesisht huat nga personat e tjerë të lidhur. Në përmbyllje të parashtrimeve, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ylli Bashaj.

Në lidhje me Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë, Komisioneri Publik u shpreh se qëndrimin mbi këtë akt do ta parashtronte gjatë bisedimeve përfundimtare.

Ndërkohë subjekti i rivlerësimit vlerësoi se Gjetja dhe Opinioni i vëzhguesve ndërkombëtarë në këtë fazë të shqyrtimit gjyqësor tejkalon shkaqet e ankimit, duke kërkuar nga trupi gjykues që të refuzojë administrimin e tij.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit prapësoi shkaqet e ankimit dhe kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të lejojë marrjen në cilësinë e provës të dokumentit, Gjetje dhe Opinion, i depozituar nga ONM në Kolegj, dhe i kërkoi Komisionerit Publik që qëndrimin e tij mbi këtë akt ta japë në këtë fazë të shqyrtimit gjyqësor.

Pasi Komisioneri Publik kërkoi kohë të arsyeshme për të përgatitur qëndrimin mbi aktin e sipërcituar, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 19.1.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni:  https://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF