18.1.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se ditën e sotme, pranë Kolegjit, ishin depozituar disa denoncime të reja, me përmbajtjen e të cilave, trupi gjykues nuk ishte njohur ende.
Seanca vijoi më pas me parashtrimet e shkaqeve të ankimit nga Komisioneri Publik.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, të bazuara në një denoncim nga publiku, ku referohen çështje të pahetuara më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të disponojë me çeljen e hetimit dhe marrjen e provave përkatëse, sipas kërkimeve të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi ankimin, duke iu referuar disa vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe kërkoi nga trupi gjykues konfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor, dhe të kërkojë për administrim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, dosjet me çështjet e referuara në ankim.
Seanca vijuese u caktua më datë 26.1.2024, në ora 9:00, ku palët duhet të përgatiten edhe për qëndrimet e tyre mbi denoncimet e depozituara rishtazi në Kolegj.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF