26.1.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Ylli Bashaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës iu kërkoi palëve të paraqisnin bisedimet përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtrimeve dhe qëndrimit mbi Gjetjen dhe Opinionin e vëzhguesve ndërkombëtarë, konkludoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë, pasi ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, si dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 671, datë 14.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Ylli Bashaj.

Subjekti i rivlerësimi, gjatë parashtrimit të bisedimeve përfundimtare, pretendoi për të kundërtën e konkluzioneve të Komisionerit Publik dhe i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 2.2.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni:  http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF