2.2.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën qëndrimet e tyre mbi denoncimet e reja, të depozituara në Kolegj.

Komisioneri Publik parashtroi se përmbajtja e dy prej denoncimeve ka qenë pjesë e denoncimit të datës 1.11.2021, nga i njëjti denoncues, të shqyrtuar nga Komisioneri Publik, dhe nuk janë pjesë e ankimit të tij.  Komisioneri Publik referoi se përmbajtja e denoncimit të tretë është trajtuar edhe gjatë hetimit administrativ në Komision, ku ky i fundit ka vendosur transferimin e çështjes pranë organit kompetent për inspektim të shkeljeve të mundshme disiplinore, çështje e cila referohet edhe në ankimin e datës 11.11.2021, të Komisionerit Publik, për t’u marrë eventualisht në vlerësim kumulativ, në funksion të gjetjeve të tjera të mundshme të dala nga shqyrtimi i çështjeve, për të cilat është kërkuar hetimi i tyre rishtazi në Kolegj.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë qëndrimit të tij, u shpreh se denoncimet e sipërcituara nuk kishin vlerë provuese dhe, në mbështetje të pretendimeve të tij, depozitoi akte të reja në Kolegj.

Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi t’i administrojë në cilësinë e provës, aktet e sipërcituara nga subjekti i rivlerësimit dhe të mos hetojë mbi dy nga tri denoncimet  e referuara në seancë. Në funksion të hetimit të denoncimit të tretë, trupi gjykues do t’i kërkojë akte shtesë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër.

Në vijim, trupi gjykues njoftoi se ishte njohur me përmbajtjen edhe të një denoncimi të ri, që trajtonte çështjet, të cilat janë pjesë e hetimit gjyqësor, dhe e shtyu seancën e ardhshme për në datën 23.2.2024, ora 10:00, në pritje të akteve nga institucionet e lartpërmendura.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF