8.2.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 651, datë 27.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Urim Buci, me funksion prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Dibër.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, seanca vijoi me parashtrimin e shkaqeve të ankimit nga Komisioneri Publik.

Duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe në zbatim të Rekomandimit të ONM-së, Komisioneri Publik ndau qëndrim të ndryshëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, lidhur me vlerësimin e situatës financiare, mjaftueshmërinë dhe ligjshmërinë e burimeve që kanë shërbyer për krijimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik dha qëndrimin edhe mbi denoncimet e depozituara në IKP, pas depozitimit të ankimit, duke vlerësuar se shkaqet e ankimit janë të mjaftueshme për kërkimin përfundimtar të çështjes, për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Urim Buci.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi pretendimet e ngritura në ankim dhe, më pas, në parashtrime më të detajuara, foli edhe mbi praktikën e çështjeve që ishin pjesë e denoncimeve nga publiku. Në përmbyllje të prapësimeve të tij dhe, më pas, të përgjigjeve të adresuara nga relatorja e çështjes, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rikonfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe të administrojë në cilësinë e provës, aktet e listuara në seancë nga subjekti i rivlerësimit.

Në vijim, kryesuesja e seancës kërkoi qëndrimin e Komisionerit Publik mbi provat e administruara dhe, pasi Komisioneri Publik kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e reja, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, në seancën që do të mbahet më datë 16.2.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF