7.3.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erion Pano, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, aktualisht i komanduar në pozicionin e Këshilltarit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës konfirmoi njohjen paraprakisht të Kolegjit me parashtrimet e palëve mbi çështjen në shqyrtim dhe i ftoi ata t’i paraqisnin pretendimet e tyre edhe në seancën gjyqësore.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi nuk provon të kundërtën e barrës së provës, mbi kriteret e kontrollit të pasurisë dhe aftësive profesionale. Në përmbyllje të gjetjeve në ankim, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erion Pano.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit referoi prapësimet mbi shkaqet e ngritura në ankim për pasurinë, ndërsa subjekti i rivlerësimit prapësoi gjetjet në ankim për kriterin e aftësive profesionale. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi rikonfirmimin në detyrë.
Relatorja e çështjes drejtoi pyetje për Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit, kryesisht mbi gjetjet dhe prapësimet, që lidheshin me kriterin e pasurisë dhe kërkoi nga Komisioneri Publik të depozitojë në Kolegj edhe analizën financiare, mbi të ardhurat e subjektit të rivlerësimit në vitet e referuara, për gjetjet mbi pasurinë.
Në vijim, trupi gjykues administroi aktet e përcjella nga Komisioneri Publik, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët të paraqesin bisedimet përfundimtare në seancën e radhës, më datë 4.4.2024, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF