29.4.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 675, datë 16.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Alfred Balla, ish-Ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë, aktualisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve dhe argumenteve, të parashtruara në ankim, në konsideratë të qëllimit të përcaktuar në nenin 179/b të Kushtetutës, jurisprudencës së Kolegjit, si dhe Mendimit/Opinionit dhe Gjetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar për rastin konkret,  çmoi se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar në situatën faktike të dokumentuar në aktet e fashikullit. Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në analizë të rrethanave të faktit dhe kuadrit ligjor të zbatueshëm, subjekti i rivlerësimit ka ushtruar të drejtat e tij, duke bërë një zgjedhje personale, duke shprehur vullnetin e pavesuar për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, duke zgjedhur ipso jure të ketë dhe ndalimin që parashikon neni G i aneksit të Kushtetutës. Në përmbyllje, Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues ndryshimin e vendimit nr. 675, datë 16.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në këtë mënyrë:

  1. Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj subjektit, z. Alfred Balla.
  2. Ndalimin e subjektit të rivlerësimit, z. Alfred Balla, të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Subjekti i rivlerësimit, fillimisht, e mori vetë fjalën duke kundërshtuar gjetjet dhe shkaqet e parashtruara nga Komisioneri Publik në ankim. Ndërkohë, përmes përfaqësueses ligjore, subjekti i rivlerësimit kërkoi administrimin e disa akteve shtesë, për të mbështetur prapësimet e tij dhe, në përmbyllje, i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues vendosi të administrojë një pjesë të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, të cilat nuk mund të konsultoheshin online, dhe i ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit iu qëndruan parashtrimeve dhe, në mënyrë të përmbledhur, referuan vetëm kërkimet përfundimtare të tyre.

Trupi gjykues u tërhoq më pas, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 21.5.2024, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF