26.6.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët kanë depozituar më parë parashtrimet dhe prapësimet mbi ankimin dhe i ftoi t’i paraqisnin edhe në seancën gjyqësore.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, të trajtuara në ankim, parashtroi nevojën për rikryerjen e analizës financiare dhe rivlerësimin e zërave përbërës të saj në përputhje me jurisprudencën e tanishme. Në lidhje me kriterin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik u shpreh se, në gjendjen që janë aktet, mbeten për t’u provuar pretendimet e subjektit të rivlerësimit. Në përmbyllje, Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues të disponojë çeljen e hetimit dhe marrjen e provave përkatëse sipas kërkimit të ankimit dhe parashtrimeve të tij në seancën gjyqësore.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi gjetjet në ankim dhe në mbështetje të prapësimeve dhe kërkimit për rikonfirmimin në detyrë, depozitoi për administrim prova të reja.

Pas pyetjeve që vëzhguesi ndërkombëtar i drejtoi subjektit të rivlerësimit, që lidheshin kryesisht me kriterin e pasurisë, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin, të administrojë aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe, t’i kërkojë Komisionerit Publik të përcaktojë se cilat konkluzione konkrete të analizës financiare kundërshton dhe efektin financiar që japin këto konkluzione në rezultatin përfundimtar të analizës financiare të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupi gjykues vendosi ndërkohë, shtyrjen e seancës më datë 11.7.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF