28.6.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 657, datë 28.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta, me funksion Ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë, aktualisht Inspektor pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke i qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve me shkrim, të depozituar gjatë gjykimit të çështjes, vlerësoi se kërkimi alternativ i subjektit të rivlerësimit, për prishjen e vendimit të KPK-së, nr. 657/2023 dhe urdhërimin e këtij të fundit për vijmin e procesit të rivlerësimit, është bërë në tejkalim të afateve të parashikuara në nenin 63, të ligjit nr 84/2016, duke i shuar përfundimsht subjektit të rivlerësimit të drejtën e ankimit për këtë kërkim, dhe të drejtën për akses në juridiksionin gjyqësor rishikues të Kolegjit. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 657/2023, të KPK-së, duke vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për subjektin e rivlerësimit z. Periand Teta dhe ndalimin e emërimit të tij gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoriarit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi se Komisioneri Publik ka parashtruar shkaqe të reja ankimi dhe duke i qëndruar kërkimit alternativ të artikuluar në seancën e mëparshme, kërkoi nga trupi gjykues që mosushtrimin e së drejtës së tij për të paraqitur ankim kundër vendimit të KPK-së, ta cilësonte si rrethanë neutrale dhe jo si një vullnet të tij për t’u pajtuar më ketë vendim.
Trupi gjykues, pas u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 17.7.2024, ora 14:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.