9.7.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 632, datë 8.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Laurent Fuçia, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e seancës bëri me dije se palëve u ishin vënë në dispozicion parashtrimet respektive, si dhe dy denoncime të depozituara rishtazi në Kolegj. Pasi palët konfirmuan se janë njohur me aktet e sipërcituara, kryesuesja e seancës ftoi Komisionerin Publik në parashtrimin e shkaqeve të ankimit.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar gjetjeve në ankim, në zbatim edhe të Rekomandimit të ONM-së, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka mundur të provojë të kundërtën e barrës së provës mbi kriterin e aftësive profesionale dhe se sjelljet e përsëritura, në interpretim të gabuar të normave ligjore, ngrenë dyshime mbi integritetin e tij. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 632, datë 8.3.2023, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Laurent Fuçia.

Subjekti i rivlerësimit gjatë parashtrimeve pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe kërkoi nga trupi gjykues që të administronte akte shtesë në funksion të rivlerësimit të kriterit të aftësive profesionale. Në përmbyllje, subjekti i rivlerësimit parashtroi se, ndryshe nga sa ishte argumentuar në ankim, arrinte nivel kualifikues në kriterin e aftësive profesionale.

Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës disa nga aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, duke vlerësuar se aktet e tjera mund të aksesoheshin online.

Në vijim, pas pyetjes së kryesueses mbi qëndrimin mbi aktet e sipërcituara, Komisioneri Publik u shpreh se nuk kishte nevojë për kohë shtesë për t’u konsultuar me këto akte, për sa kohë nuk lidheshin me shkaqet e ankimit.

Në këto kushte, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e qëndrimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik kërkoi që parashtrimet e paraqitura në seancë të konsideroheshin edhe si bisedime përfundimtare, duke i qëndruar edhe kërkimit përfundimtar. Edhe subjekti i rivlerësimit iu qëndroi prapësimeve dhe kërkimit të tij për rikonfirmimin në detyrë, duke vlerësuar se ka arritur nivel kualifikues në kriterin e aftësive profesionale.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë  25.7.2024, në ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF