22.7.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Hoxha, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, si dhe me rrethanat e konstatuara të konfliktit të interesit, që duhen vlerësuar nga Kolegji, në kuadër të kriterit të aftësive profesionale dhe integritetit të tij si gjyqtar. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Hoxha.

Përfaqësuesja ligjore kundërshtoi qëndrimet e Komisionerit Publik, duke pretenduar se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 25.7.2024, ora 16:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF