12.9.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 729, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Zena Lila, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët kishin depozituar në Kolegj, sipas afateve të përcaktuara, parashtrimet dhe prapësimet mbi ankimin dhe në vijim i ftoi t’i paraqisnin pretendimet e tyre në seancë gjyqësore.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtroi si çështje për gjykim rrethana dhe fakte ligjore, që lidheshin me kriterin e kontrollit të pasurisë. Në përmbyllje të gjetjeve në ankim, Komisioneri Publik konkludoi se subjekti i rivlerësimit ndodhej në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe, për rrjedhojë, kërkoi nga trupi gjykues që, pas një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 729, datë 10.1.2024, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Zena Lila.
Subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi gjetjet në ankim dhe, në përmbyllje të prapësimeve, kërkoi rikonfirmimin në detyrë.
Pasi palët u shprehën se nuk kishin kërkesa të tjera mbi çështjen, trupi gjykues, i këshilluar në vend, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 19.9.2024, ora 14:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF