16.9.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 693, datë 10.8.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Saimir Hysa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët kishin depozituar në Kolegj parashtrimet dhe prapësimet mbi ankimin dhe, në vijim, i ftoi t’i paraqisnin pretendimet e tyre në seancë gjyqësore.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtroi si çështje për gjykim rrethana dhe fakte ligjore, që lidheshin kryesisht me kriterin e kontrollit të aftësive profesionale dhe të kriterit të pasurisë, të referuara edhe në rekomandimin dhe gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë, si dhe në denoncimet nga publiku. Në përmbyllje të parashtrimeve të tij, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues që, në përfundim të hetimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 693, datë 10.8.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Saimir Hysa.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi për të kundërtën e gjetjeve në ankim dhe shprehu rezerva mbi rekomandimin e ONM-së, duke vlerësuar se vëzhguesit ndërkombëtarë janë bazuar kryesisht në denoncimet nga publiku, për të cilat tha se nuk qëndronin. Në përmbyllje, subjekti i rivlerësimit kërkoi depozitimin e akteve shtesë, mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe rikonfirmimin e tij në detyrë.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar mbi disa dosje hetimore.
Trupi gjykues vendosi më pas administrimin e akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe, pasi nuk u referuan kërkesa të tjera mbi çështjen, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe i ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kërkuan kohë të arsyeshme për të përgatitur qëndrimet përfundimtare dhe, në këto kushte, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 23.9.2024, ora 10.00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF