23.9.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 693, datë 10.8.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Saimir Hysa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se sot, Institucioni i Komisionerëve Publikë iu kishte përcjellë praktikën e një denoncimi, të depozituar pak minuta para fillimit të seancës. Pas konsultimit të përmbajtjes së denoncimit, palët referuan qëndrimet e tyre. Komisioneri Publik i konsideroi të mjaftueshme shkaqet e ankimit dhe aktet shoqëruese në dosjen e çështjes në shqyrtim. Ndërsa subjekti i rivlerësimit kundërshtoi përmbajtjen e denoncimit, si të pabazuar në fakte dhe prova.

Në vijim, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën bisedimet përfundimtare.

Komisioneri Publik, në zbatim edhe të Rekomandimit të ONM-së, në analizë të akteve të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe prapësimeve të subjektit të rivlerësimit, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk provoi të kundërtën e barrës së provës, të referuar në shkaqet e ankimit dhe gjetjet e vëzhguesve ndërkombëtarë. Në përmbyllje të qëndrimit të tij, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues që, pas vlerësimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 693, datë 10.8.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Saimir Hysa.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, duke pretenduar rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 25.9.2024, ora 15:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF