26.9.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 757, datë 9.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erjon Shqarri, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesi i seancës bëri me dije se palët kishin depozituar parashtrimet dhe prapësimet e tyre, si dhe ishin njohur edhe me një denoncim të depozituar rishtazi në Kolegj.
Në vijim, Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në referencë edhe të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi se subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për dy procedime penale, të hetuara në kuadër të vlerësimit të aftësive profesionale. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 757, datë 9.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erjon Shqarri, për një periudhë njëvjeçare, dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.
Subjekti i rivlerësimit, gjatë prapësimeve të tij, pretendoi se shkaqet e ankimit ishin të pabazuara dhe i kërkoi trupit gjykues lënin në fuqi të vendimit për konfirmimin e tij në detyrë.
Në vijim, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit u shprehën mbi denoncimin nga publiku. Komisioneri Publik e la në çmim të trupit gjykues hetimin mbi pretendimet e ngritura në këtë ankesë. Ndërsa subjekti i rivlerësimit dorëzoi dy akte mbi statusin ligjor të çështjes së ngritur nga denoncuesi.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet e palëve dhe me aktet e depozituara në seancë, vendosi të mos hetojë mbi denoncimin, pasi kjo çështje ishte ende në shqyrtim, dhe ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit kërkuan të konsideroheshin bisedime përfundimtare parashtresat e paraqitura gjatë seancës së sotme.
Në vijim, trupi gjykues e deklaroi të përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 3.10.2024, ora 15:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF