30.9.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 703, datë 28.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi, me funksion prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët kishin depozituar në Kolegj parashtrimet dhe prapësimet, dhe i ftoi në vijim që pretendimet e tyre t’i paraqisnin edhe në seancë gjyqësore.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, në zbatim edhe të Rekomandimit të ONM-së, parashtroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për kontrollin e pasurisë dhe të aftësive profesionale. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 703, datë 28.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi gjetjet në ankim dhe pretendoi për të kundërtën e pretendimeve të ngritura edhe në disa denoncime nga publiku. Në përmbyllje të prapësimeve të saj, subjekti i rivlerësimit dorëzoi akte shtesë në Kolegj dhe kërkoi rikonfirmimin në detyrë.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga vëzhguesi ndërkombëtar.
Trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të administrojë aktet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e radhës, më datë 7.10.2024, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF