2.12.2024

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Florian Bonjaku, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Krujë.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët janë njohur paraprakisht me parashtrimet dhe prapësimet e shkaqeve të ankimit dhe i ftoi ata t’i paraqisnin të përmbledhura edhe në seancë.

Komisioneri Publik, duke iu qëndruar të gjitha shkaqeve të ankimit, parashtroi se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë të pasurisë dhe se, në lidhje me kontrollin e figurës, ngrihen dyshime mbi ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme. Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji që, pas një hetimi tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Florian Bonjaku.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi gjetjet mbi pasurinë dhe në lidhje me kontrollin e figurës dhe të aftësive profesionale, dha shpjegime mbi çështjet e referuara në shkaqet e ankimit, duke pretenduar të kundërtën e tyre. Në përmbyllje të prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Në vijim, relatorja e çështjes dhe vëzhguesi ndërkombëtar i drejtuan pyetje subjektit të rivlerësimit mbi disa nga çështjet e referuara në ankim.

Palët u pyetën edhe rreth denoncimeve të depozituara rishtazi në Kolegj dhe, pas qëndrimeve të tyre, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetim. Ndërsa kërkoi që seanca të vijonte me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për të përgatitur qëndrimin përfundimtar, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën më datë 6.12.2024, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe  parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF