6.12.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Florian Bonjaku, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Krujë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës ftoi palët në paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar parashtrimeve të paraqitura në seancën e mëparshme, kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që, pas vlerësimit tërësor të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Florian Bonjaku.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi kërkimin përfundimtar të Komisionerit Publik, duke pretenduar për të kundërtën e gjetjeve mbi pasurinë, kontrollin e figurës dhe aftësive profesionale. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e tij në detyrë.
Trupi gjykues, pasi administroi qëndrimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 19.12.2024, ora 15:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.