10.12.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 769, datë 29.5.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Sofia Zhilla, ish-Inspektore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit, znj. Sofia Zhilla dhe bëri me dije se, deri në nisje të seancës gjyqësore, Kolegji nuk ishte informuar mbi arsyet e mungesës së saj. Kryesuesja informoi, gjithashtu, se subjekti i rivlerësimit kishte depozituar në Kolegj parashtrimet dhe prova të reja në funksion të prapësimeve të saj.
Pas konsultimit me Komisionerin Publik, mbi këtë rrethanë të krijuar, trupi gjykues vendosi të vijojë shqyrtimin e çështjes në mungesë të subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik parashtroi se, me njohjen e akteve të reja, të depozituara në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk ndodhet më në kushtet e parashikuara në ankim, pasi konfirmohet se ajo ka mbushur moshën e daljes në pension dhe, referuar jurisprudencës së Kolegjit, dhe në kushtet kur aneksi i Kushtetutës nuk ka parashikuar ndonjë rregullim të posaçëm, objekti dhe qëllimi i këtij procesi është bërë i pamundur. Për rrjedhojë të kësaj rrethane, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji lënien në fuqi të vendimit nr. 769, datë 29.5.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por me një arsyetim tjetër.
Trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor, të administrojë aktet e reja të depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe, pasi Komisioneri Publik i qëndroi kërkimit përfundimtar të parashtruar, si më lart, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.10.2024, ora 14:30.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF