05.3.2025

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 524, datë 8.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elfrida Bregova, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se Kolegji ka informuar palët për korrespondencën me shoqërinë e ndërtimit dhe AKSIK, si dhe shkresën kthim-përgjigje të Shërbimit Informativ Shtetëror. Kryesuesja e trupit gjykues kërkoi qëndrimin e palëve mbi këto akte dhe mbi mënyrën e vijimit të seancës.

Duke konfirmuar njohjen me përmbajtjen e shkresave kthim-përgjigje të shoqërisë së ndërtimit AKSIK dhe SHISH, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi të procedohej me të dhënat e tjera, të administruara gjatë hetimit në KPK dhe Kolegj dhe të mbyllej shqyrtimi gjyqësor për të vijuar me parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.

Në lidhje me përgjigjen e dërguar nga shoqëria e ndërtimit, edhe subjekti i rivlerësimit kërkoi të procedohej me provat e administruara në KPK dhe Kolegj. Ndërsa mbi vendimin e SHISH për të përjashtuar nga deklasifikimi informacionin e përfshirë në raportin e AKSIK, përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, kërkoi të njihej nëse kishte ndryshime në këtë raport, për të përgatitur qëndrim mbi të.

Kryesuesja e seancës u shpreh se trupi gjykues nuk ndodhej në rrethanat për të dhënë konkluzione mbi raportin e AKSIK dhe se nuk e vlerësonte se ishte rasti që subjekti i rivlerësimit të mbante qëndrim mbi të. Në vijim, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ftoi palët me paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, në referencë të përmbajtjes së akteve të administruara dhe nivelit të provueshmërisë së tyre, parashtroi se subjekti i rivlerësimit arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës, lidhur me vlerësimin e kriterit të pasurisë. Mbi shkakun e ankimit për kontrollin e figurës, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se raporti i DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit dhe si i tillë, mbetet akt i referuar, përsa përmban si konstatim.

Për sa më sipër cituar, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi nga trupi gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 524, datë 8.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elfrida Bregova.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, shprehu dakordësinë me çfarë u deklarua nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, gjatë bisedimeve përfundimtare, dhe në përmbyllje kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Trupi gjykues, pasi u njoh me bisedimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi, për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 13.3.2025, ora 9:00.

Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF