4.4.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 521, datë 1.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erjon Shehaj, me funksion prokuror/drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.
Pas verifikimit të prezencës, kryesuesi i trupit gjykues ftoi palët në parashtrimin e bisedimeve përfundimtare.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke iu qëndruar parashtrimeve dhe qëndrimeve të mbajtura në seancën e mëparshme, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe nuk arriti të japë shpjegime bindëse mbi gjetjet dhe të metat e veprimeve proceduriale të kryera prej tij. Duke ju referuar edhe jurisprudencës së Kolegjit, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kërkoi që të metat e konstatuara në kriterin e aftësive profesionale dhe etikës së subjektit të rivlerësimit, të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes dhe në përfundim të shqyrtimit gjyqësor Kolegji të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 521, datë 1.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erjon Shehaj.
Subjekti i rivlerësimi, përmes përfaqësuesit ligjor, mbajti të njëjtin qëndrim mbi gjetjet e referuara në ankim, për kriterin e aftësive profesionale dhe etikës, duke pretenduar se nuk argumentohet sesi afektohet indikatori i cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Në përmbyllje të bisedimeve përfundimtare, përfaqësuesi ligjor kërkoi rikonfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Erjon Shehaj.
Trupi gjykues, pasi u njoh me qëndrimet përfundimtare të palëve, u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 9.4.2025, ora 15:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.