Tiranë, më 3.6.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 696, datë 11.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Marsida Frashëri, me detyrë prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.
Gjatë verifikimit të prezencës, kryesuesja e trupit gjykues njohu palët me autorizimin e sipërcituar të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe pasi mori edhe dakordësimin e subjektit të rivlerësimit, vijoi seancën me parashtrimin e shkaqeve të ankimit.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, z. Klodjan Braho, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, parashtroi se në kontrollin e aftësive profesionale, subjekti i rivlerësimit nuk e ka kaluar nivelin kualifikues për konfirmimin në detyrë dhe se me veprimet e mosveprimet e saj, ka cënuar rëndë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, duke u gjendur në kushtet që mangësitë e evidentuara nuk mund të plotësohen as nga programi i trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Z. Braho kërkoi nga trupi gjykues të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 696, datë 11.9.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Marsida Frashëri.
Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të ankimit të Komisionerit Publik, pretendoi se ai është bazuar në vendimin e ndërmjetëm të KPK-së, dhe se sipas saj vendime të tilla janë të paankimueshme, duke mos dhënë asnjë shpjegim mbi gjetjet në ankim.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit, iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga relatorja e çështjes.
Pasi palët nuk referuan kërkesa të reja proceduriale, kryesuesja e seancës i ftoi të paraqisnin qëndrimet e tyre përfundimtare.
Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme u shpreh se iu qëndronte parashtrimeve të shkaqeve të ankimit, për sa kohë nuk pati prapësime as nga subjekti i rivlerësimit. Z. Braho kundërshtoi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit mbi pavlefshmërinë e ankimit, duke argumentuar se ankimi i Komisionerit Publik është ushtruar ndaj vendimit përfundimtar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore mbi pretendimin e ngritur. Në përmbyllje, z. Braho i qëndroi edhe kërkimit të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit u shpreh se, përfundimisht i qëndron kundërankimit të saj dhe kërkoi nga Kolegji lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, për konfirmimin në detyrë.
Trupi gjykues, pas konsultimit, vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10.6.2025, ora 15:00.
Ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.