Tiranë, më 3.7.2025
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), z. Altin Dumani, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Klodjan Braho, me funksion Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (njëkohësisht Drejtues i Seksionit Kundër Korrupsionit), për ta përfaqësuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjatë shqyrtimit gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 600, datë 19.2.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Robert Kote, me detyrë gjyqtar prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Në seancën e datës 18 qershor 2025, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për të marrë vendimin përfundimtar lidhur me çështjen.
Gjatë bisedimeve dhe në funksion të tyre, trupi gjykues u ndal për të analizuar kërkimin përfundimtar të ankuesit, përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, dhe çmoi me rëndësi qartësimin nëpërmjet pyetjeve që do të duhet t’i bëheshin atij në kënndvështrimin procedural lidhur me kërkimin përfundimtar të përcjellë në Kolegj. Për këtë arsye, në seancën në dhomë këshillimi në datën 1.07.2025, trupi gjykues revokoi vendimin e ndërmjetëm të marrë në seancën e datës 18 qershor 2025 për mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe tërheqjen në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit lidhur me çështjen.
Në kushtet kur çmoi se qartësimi për sa më sipër do të duhet të bëhej nëpërmjet pyetjeve, për shkak të mungesës në seancën e sotme të përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe pamundësisë për të kryer këtë veprim procedural, trupi gjykues, i konsultuar, vendosi të shtyjë seancën për në datën 9.07.2025, ora 14:00.
Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”: https://spak.gov.al/
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.